MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Të famshëm

Nickola Shreli, aktori shqiptar që i bashkohet Sylvester Stallone në “Tulsa King”!

Këtë javë, mediat amerikane të industrisë së filmit dhe televizionit publikuan lajmin që do e bëjë çdo shqiptar të ndihet krenar: Nickola Shreli, aktori, skenaristi dhe regjisori me origjinë shqiptare, është bërë pjesë e kastit të ri të “Tulsa King”. Ai nuk do jetë vetëm, por mes aktorëve të rinj që i shtohen serialit në sezonin e ardhshëm. Dhe e dini cila është pjesa më e mirë? Do luajë përkrah ikonës së madhe të kinemasë, Sylvester Stallone!

Shreli, i lindur dhe rritur në Detroit nga një familje shqiptare, ka ndërtuar një karrierë të fortë në Hollivud. Nuk është i panjohur për ekranin, pasi ka shkruar dhe interpretuar rolin kryesor në filmin “Cash Only”. Ai njihet edhe për paraqitjet në “Power Book IV: Force”, “Killerman”, “Low Winter Sun”, “The Red Road” dhe “Abduction”. Pra, djali e di punën!

Përveç aktrimit, Nickola vazhdon të jetë aktiv edhe si regjisor dhe producent përmes kompanisë së tij, Nickname Projects. Qartazi, nuk ka kohë për pushim.

Ky rol në “Tulsa King” shënon një moment kyç në karrierën e tij televizive, duke e vendosur drejtpërdrejt pranë një prej emrave më të rëndësishëm të Hollywood-it. Imagjinoni ta shihni Shrelin tonë krah për krah me Rambo-n vetë! “Tulsa King” me protagonist Sylvester Stallone transmetohet në Paramount+ dhe tani, me Nickolën, mezi presim sezonin e ri. Ky është një nivel tjetër, s'ka diskutim!

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.