MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Të famshëm

Dua Lipa merr mikrofonin në Festivalin e Letërsisë: Intervista me emra të mëdhenj!

Dua Lipa, shqiptarja me famë botërore, ka surprizuar duke u kthyer në rolin e intervistueses, por këtë herë jo për muzikë! Ajo ka qenë pjesë e Festivalit të Letërsisë në Londër, ku ka zhvilluar biseda me emra të njohur të letërsisë dhe muzikës si shkrimtarja Zadie Smith, poeti dhe muzikanti Mustafa, dhe ikona e muzikës e letërsisë Patti Smith.

Si kuratore e ftuar e festivalit, përmes klubit të saj të leximit “Service95”, Dua ka drejtuar disa nga ngjarjet kryesore të këtij edicioni. Ajo ka shkëmbyer ide me artistët rreth letërsisë, krijimtarisë dhe përvojave të tyre personale, duke na treguar që nuk është vetëm mbretëresha e skenës, por edhe e bisedave të thella.

Gjatë bisedës me Zadie Smith, e cila është autore e romanit “White Teeth”, fokusi ka qenë te pabarazia ekonomike dhe ndikimi i saj në ndasitë shoqërore. Ata diskutuan sidomos qëndrimet ndaj multikulturalizmit dhe emigracionit në Britani. Smith argumentoi se përkeqësimi i shërbimeve publike, mungesa e banesave dhe vështirësitë për të gjetur punë bëjnë që dallimet mes njerëzve të perceptohen si kërcënim. "Kur nuk gjen punë, nuk ka banesa të mjaftueshme dhe shkollat e spitalet po përkeqësohen, dallimet mes njerëzve fillojnë të duken si një kërcënim ekzistencial," ka thënë shkrimtarja. Ajo theksoi rëndësinë e rikthimit te një sistem që garanton arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor për të gjithë.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte biseda me shkrimtaren Patti Smith, e cila u zhvillua në sallën Royal Festival Hall. Të dyja diskutuan për librin autobiografik të Patti Smith, “Bread of Angels”. Biseda përfshiu kujtimet e Patti Smithit, përvojat e saj të hershme me artin, procesin e të shkruarit dhe ndikimin që arti mund të ketë në përballimin e emocioneve të vështira. Madje, ato folën edhe për bashkëshortin e ndjerë të Patti Smithit, Fred “Sonic” Smith, dhe ndikimin e tij të qëndrueshëm në jetën e saj.

Dua Lipa ka zhvilluar edhe një bisedë me poetin, këngëtarin dhe regjisorin Mustafa, rreth përmbledhjes së tij poetike “Nour”, që në arabisht do të thotë “dritë”. Kjo vepër trajton tema si besimi, dashuria, humbja dhe bukuria e ritualeve të përditshme.

Festivali i Letërsisë në Londër vazhdon deri më 1 nëntor 2026, me një program plot diskutime me shkrimtarë, poetë dhe artistë nga vende të ndryshme. Dua pati thënë se përmes “Service95”, ajo synon të afrojë publikun me letërsinë dhe të krijojë hapësira për biseda mbi librat dhe idetë që ndikojnë në mënyrën se si njerëzit e shohin botën. Kushedi, mos po na kthehet në një Oprah shqiptare?

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.